Gjithësecili mund të jetë një prind, por duhet një jetë që të jemi një baba. – Wade Boggs
Dëshira e të gjithë prindërve është të kenë fëmijë të shëndetshëm dhe të moralshëm. Në kulturen tonë fëmijët e mirë janë të lidhur me trashigiminë prindërore të mirë. Madje, historiskisht e kemi shoqëruar këtë ide duke futur në të folurën tonë të përditshme frazeologji si: “Dardha bie nën dardhë”. Fëmijët kanë kërkesat e tyre dhe prindërit janë të prirur të bëjnë maksimumin e plotësimit të kërkesave dhe nevojave. Kjo tregon se roli i prindërve është i lidhur ngushtësisisht me plotësimin e nevojave për fëmijët e tyre. Në çdo kohë, veçanërisht në shoqëritë moderne, kujdesi prindëror është i orientuar në sigurimin e nevojave fiziologjike dhe sigurisë fizike të fëmijëve. Në aspektin ligjor nuk ka një ndarje të përgjegjesive të nënës dhe të babait, por kulturalisht këto përgjegjësi janë ndarë. Babai ka përgjegjësi të sigurojë të mirat materiale, ndërsa nëna është përgjegjëse për mirërritjetjen e tyre; na lë të kuptojmë mënyra e jetesës dhe kultura patriarkale.
Në eksperiencen time me punën me fëmijë dhe prindër kam evidentuar një qëndrim të palëkundur nga baballarët: Do donim të kalonim më shumë kohë me fëmijët, por jemi të angazhuar me punë dhe nuk kemi kohë mjaftueshëm. Ky qëndrim vjen si një aksiomë nga çdo lloj babai: si ata që janë intelektualë, si ata që janë dhunues, si ata që kalojnë ditën në kafe, si ata që punojnë gjithë ditën, si të qytetit po ashtu edhe të fshatit, si baballarët më një fëmijë po ashtu edhe ata me shumë fëmijë. Në këtë periudhë, kur të gjithë jemi në shtëpi me fëmijët dhe të gjithë familjen, vërej që disa baballarë publikojnë në rrjetet sociale aktivitete të ndryshme me fëmijët e tyre. Karantina e vendosur nga COVID 19, të paktën ka sjellur një të mirë. Kjo gjendje që është e rrethuar me ankth dhe pasiguri nga e panjohura, ka bërë që baballarët të jenë më afër fëmijëve të tyre, fëmijët janë vendosur më afër prindërve, kanë mundësi të eksplorojnë pjesë të humbura nga marrëdhëniet e tyre; ka shtyrë baballarët të jenë pjesë e procesin të të mësuarit të fëmijëve. Dhe, për herë të parë, baballarët kanë mësuar emrat e mësuesve, sepse tani u kanë ardhur online në shtëpi, ndonëse më herët kanë refuzuar të marrin pjesë në takimet me prindër të zhvilluara nga shkolla.
Ndërrimi i rutinës disave ju ka sjellë edhe nervozizëm, por nuk duhet të jetë shqetësuese sepse kanë fëmijët aty afër, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër, i fusin në një botë fantazish me nevojat e tyre për ndërveprim me baballarët. Në këto ditë me aktivitet social të jashtëm thuajse zero, por me një zhvillim të vrullshëm dhe dinamik brenda familjes, baballarët po kuptojnë që roli i tyre nuk është vetëm udhëheqja dhe dhënia e urdhrave për familjarët, por edhe suporti dhe nxitja e fëmijëve për të shprehur nevojat, dëshirat dhe interest e tyre. Suporti i dhënë nga baballarët në periudha të karakterizuara nga ankthi i niveleve të larta është domosdoshmëri për mirëqënien psikologjike të fëmijëve. Fëmijët burimin më të besueshëm të informacionit kanë babain e tyre, nuk kanë median, nuk kanë mjekët, nuk kanë kryeministrin apo presidentin e ShBA-ve. Ata kanë nevojë që baballarët të jenë aty me ta, ti pyesin, të luajnë, të gatuajnë, të qeshin, të punojnë, të vizatojnë edhe të bëjnë gara për të kryer misione në lojrat e pafundme fizike dhe elektronike. Baballarët kanë mundësinë që fëmijëve të tyre t’iu flasin për fëmijërinë që ata kanë pasur, personazhet e pëlqyer nga ata dhe që tani mund të jenë të humbur, për shokët e tyre, për historitë e jetës së tyre, të cilat ngjallin interes për fantazinë e fëmijëve. Në këtë përshkrim duket se nëna është lënë mënjanë, por qëllimi është që të fokusohemi tek ju baballarë që tani nuk keni justifikimin e kohës për tu bërë “BABA” për fëmijët tuaj. Janë gjëra të thjeshta dhe të vogla në dukje, por që këta ditë ju po e dëgjoni me shpesh fjalen “Baba”. Kjo fjalë nuk ka nevojë që të interpretohet me terminologjinë psikologjike të mekanizmave të “Identifikimit” dhe “Sublimimit”, por thjeshtë të ndalni hapin dhe të përqendroheni tek kuptimi i fjalës “Baba”. Jam i bindur që kuptimin e lidhni edhe me fëmijërinë tuaj, me zërin e fëmijëve tuaj dhe kjo gjë ju jep pushtet, ju bën më të fuqishëm, më të gatshëm të lëvizni boten për familjen tuaj.
E kuptoni pra, që të jeni të fuqishëm dhe të pushtetshëm, nuk është nevoja të jeni autoritar, të dhunshëm, mosdëgjues, të fortë, mospërfillës, thyes kufinjsh. Pushtetin që aq shumë e kërkojnë baballarët arrihet edhe përmes shkrirjes së kufinjve me fëmijët, lojës dhe rregullave që burojnë nga loja, shprehjes së emocioneve respektive dhe pranisë fizike dhe shpirtërore në familje. Kjo ju bën të pushtetshëm, të dobishëm dhe heronj në një periudhë ku ndjenjat e inferioritetit të çdo burri rriten si rezultat i ndikimit të fatkeqësive natyrore.
Dr. Fatjon Taipi
Refleksion për baballarët në periudhen e COVID 19.
Shkodër, 24.03.2020
No Comments