Këshillim Psikologjik

Çfarë është këshillimi psikologjik për burrat e dhunshëm?

Shërbimi i këshillimit psikologjik për burra është një program ndërhyrjeje, i cili synon reduktimin deri në ndalimin e plotë të akteve të dhunës, që ndjekësi i këtij programi kryen ndaj partneres apo familjarëve të tij. Nëpërmjet teknikave të ndërhyrjes, synohet parandalimi i sjelljeve të dhunshme dhe zëvendësimi i tyre me sjellje të reja pa dhunë.

Kush përfiton nga këshillimi i dhunuesit?

Keshillimi psikologjik, është i vetmi shërbim, nga i cili përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë viktimat dhe dhunuesi. Nëpërmjet këshillimit rriten mundësitë që viktimat e dhunës të mos përjetojnë më dhunë. Gjithashtu këshillimi ndihmon shkaktarët e dhunës të ndërgjegjësohen për veprimet e tyre të dhunshme dhe të marrin përgjegjësitë për pasojat, që ato shkaktojnë tek viktimat, por edhe tek ai vetë.

Ky shërbim i vjen në ndihmë edhe të gjithë sistemit të ndërhyrjes kundër dhunës në familje, duke shtuar një qasje të re në zvogëlimin e fenomenit dhe rritjen e sigurisë për pjestarët e familjeve me histori dhune.

Objektivi kryesor i punës me burrat që kanë kryer akte dhune në familje, është ndalimi i dhunës. Këshillimi psikologjik i burrave synon të ndryshojë zakonet dhe sjelljet e agresive të dhunuesve, duke i zëvendësuar ato me sjellje dhe zakone të reja të çliruara nga dhuna.

Çfarë ndodh gjatë proçesit të këshillimit?

Praktikat e ndërhyrjes bazohen në besimin që dhuna është një sjellje e mësuar dhe burrat që kryejnë akte dhune, e kanë mundësinë dhe aftësinë për të modifikuar dhe ndryshuar sjelljet e tyre te dhunshme.

Gjatë proçesit të këshillimit fokusi vihet mbi temën e dhunës, marrëdhënien që klienti ka me dhunën, besimet, bindjet, traditat, modelet, normat e klientit dhe një peshë të madhe zë diskutimi mbi aktet e dhunës së kryer nga klienti dhe pasojat e kësaj dhune tek viktimat e tij.

Këshillimi tek ZDB është individual. Nje cikël zgjat minimalisht 16 seanca. Seanca zgjat 50-55 minuta dhe çdo klient ndjek 1 seancë në javë.

Cikli i këshillimit përbëhet nga këto faza kryesore:

  • Hyrja në shërbim. Klienti njihet me ofertën tonë, kushtet, rregullat dhe pritshmëritë nga ky këshillim.
  • Këshilluesi përpiqet të zbulojë dhe stimulojë arsyet dhe motivimin e klientit për të ndryshuar sjellje.
  • Këshilluesi njihet me historinë e klientit. Gjatë kësaj faze flitet për mendimet, besimet, ndjesitë, normat, që ndikojnë në emocionet dhe veprimet e tij, etj…
  • Ri-ndërtimi i historisë së dhunës (aktit të dhunës). Kjo fazë e këshillimit synon përballjen e klientit me veprimet e tij të dhunshme dhe pasojat e tyre.
  • Kuptimi dhe pranimi i përgjegjësisë për dhunën e ushtruar.
  • Ngritja dhe zbritja emocionale gjate nje krize
  • Adaptimi dhe përforcimi i sjelljeve te reja per menaxhimin dhe zgjidhjen e konflikteve, pa përdorur dhune.

Standartet e shërbimit

  • Fokusi kryesorë i punës tonë është siguria e viktimave dhe fëmijëv të familjeve me histori dhune.
  • Dhuna dhe sjelljet abuzivë të çdo lloji, kundrejt partnerit, fëmijëve apo familjarëve të tjerë është e papranueshme dhe nuk ka justifikim.
  • Dhunuesi është 100% përgjegjës për aktet e dhunshme që ai kryen dhe sjelljet abusive janë zgjedhje e tij.
  • Predispozita dhe zgjedhja e vullnetshme për të ushtruar dhunë kundrejt partnerit janë sjellje të mësuara dhe të ndikuara nga pritshmëri të krijuara mbi baza gjinore.
  • Këshillimi dhe çdo e dhënë apo informacion që del gjatë proçesit është konfidencial dhe ruhet në privatësi të plotë.
  • Këshillimi nuk mund të zhvillohet me persona që janë konsumues të alkoolit, substancave, apo vuajnë nga çrregullime të rënda mendore.